Vizita e tij e fundit në “Teatrin e Ëndrrave” përfundoi me disfatë, por respekti ishte aq i madh, saqë e la rezultatin në plan të dytë. Arsenali i Arsen Vengerit u mund në minutën e fundit në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit, në vizitën e mbrame të trajnerit të shquar francez në stadiumin më armik të karrierës së tij.
Për ta pritur aty ishte jo vetëm trajneri i tanishëm i “djajve të kuq”, Zhoze Murinjo, por edhe rivali i tij i madh i së kaluarës, Sër Aleks Ferguson, i cili tha disa fjalë vërtet të mëdha. “Pas 22 vitesh në një klub të tillë të madh, edhe vetë Arseni e dinte se kishte ardhur koha të largohej, – u shpreh skocezi, – ai ka bërë një punë fenomenale në Premier Ligë këta 22 vjet. Nuk besoj se do të ketë tjetër si ai, pasi në futbollin modern është vështirë të rrish në një skuadër kaq gjatë. Gjithsesi, duhet një person i jashtëzakonshëm për ta bërë”.
Fergi pohoi se kishte pasur disa debate me Vengerin në të kaluarën, por respekti nuk mungoi kurrë. Tani, ata janë edhe më shumë miq, duke drekuar në takimet e përvitshme të UEFA-s. “Kur bëhesh më i vjetër i harron betejat e së kaluarës, e kam fjalën harron rivalitetin e asaj kohe, dhe gjithçka bëhet më e mirë”, – përfundoi Fergusoni.
Edhe Murinjo e vlerësoi Vengerin si një trajner të madh, dhe shtoi se ishte penduar për konfliktet që kishte pasur me të. Gjithsesi, në fushën e lojës, Junajtidi i tij arriti të fitonte duke i shkaktuar një tjetër dëshpërim francezit. Pol Pogba shënoi golin e parë për vendasit, ish-lojtari i Murinjos, Mkitarian barazoi, ndërsa në sekondat e fundit vendosi goli i shënuar nga Maruan Felaini. Junajtid forcoi pozitat në vendin e dytë, ndërsa Arsenali mbetet me shpresë tek Liga e Europës që të sigurojë Championsin sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al