Barcelona fiton titullin e 25-të, Mesi pranë Këpucës së Artë!

Nuk doli ndeshje e lehtë në La Korunja, dhe as nuk mund të ishte e tillë. Barcelonës i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampione e Spanjës, ndërsa mori fitoren, kurse Deportivos vendase i bënte punë vetëm fitorja për të shpresuar mbijetesën.

Fitoi klasi super i lartë në krahasim me zemrën e vendosur në fushë, dhe katalanasit fituan kampionatin numër 25 në histori, falë suksesit 4-2. Ishte Lionel Mesi që i nxorri nga “balta” me tregolëshin e tij, duke arritur në kuotën e 32 rrjetave në këtë kampionat. Argjentinasi është thuajse fitues i Këpucës së Artë në Spanjë, dhe pranë Këpucës së Artë të Europës. Me shumë gjasa (në varësi edhe të Botërorit) numri 10 mund të fitojë edhe Topin e Artë, si dhe Çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit të FIFA-s.

Barcelona kaloi në epërsi në “Riazor” me golin e Kutinjos, pastaj Mesi dyfishoi, por Lukas Perez dhe Emre Çolak barazuan për vendasit. Deportivo luajti shumë mirë për minuta të tëra, duke qenë pranë avantazhit, por duke mos pasur një si Mesi nuk shënuan dot më shumë. Nga ana tjetër, Leo u ndihmua nga asistet e Luis Suarezit për të shënuar edhe dy herë të tjera. Në 86′, gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të përshëndetur hyrjen në fushë të Andres Iniestës, për herë të fundit në karrierë si lojtar i Barcelonës.

Pas 34 ndeshjeve të luajtura, Barcelona ka 86 pikë, 11 më shumë sesa Atletiko që ka edhe 9 pikë në dispozicion. Skuadra e trajnerit Valverde ka shënuar 87 gola dhe ka pësuar vetëm 21, duke qenë ekipi me më shumë rrjeta të shënuara dhe i dyti me më pak të pësuara.

Sfidanti.al