Jo që të gjitha skuadrat e Premier Ligës angleze mund të lejohen për të hedhur paratë “lumë” për t’u përforcuar, edhe pse flasim për kampionatin më të pasur dhe më të fortë në botë. Historia e potencialit për transferime në ishull u bë temë e ditës tani pasi Njukasëlli i ble nga familja mbretërore saudite dhe shumëkush po pyet sesa do të shpenzojnë ata për ekipin. Sipas mediave britanike, Njukasëlli mund të lejohet deri në 200 milionë paundë stërlina, natyrisht një shumë e rëndësishme, por jo më e madhja ndër klubet e elitës. Totenhemi, sipas analizës lidhur me rregullat e Lojës së Ndershme Financiare (LNF), është klubi që mund të shpenzojë më shumë, plot 400 milionë paundë stërlina dhe kjo do të thotë se Antonio Konte është një trajner me fat. Në janar dhe sidomos verën e ardhshme, italiani do të mundë të forcojë ekipin. Liverpuli ka mundësi të mëdha gjithashtu me 273 milionë paundë stërlina, Mançester Junajtidi mund të arrijë në 243 milionë, Çelsi në 241 milionë, Arsenali 201 milionë dhe Bërnli 171 milionë. Mançester Siti nuk ka shumë vend për manovrim me 84 milionë paundë stërlina, ndërsa Evertoni është me minus, pasi duhet të rregullojë deficitin prej 35 milionë paundësh stërlina.
Sfidanti.al