Shqipëria kupton se po “fluturonte mbi re”, Anglia leksion 5-0 në 45’!

Përfundoi po me këtë rezultat, ndërsa pas pushimit “luanët”e hoqën këmbën nga gazi, pasi lojtarët duhet të mendojnë edhe për sezonin me ekipet e klubeve. Anglia fitoi 5-0 ndaj Shqipërisë në “Uembli” të Londrës, i njëjti rezultat si në 1988, por këtë herë nuk mund të ankohemi se na anuluan gol si atëherë Sulejman Demollarit. Kombëtarja u dorëzua plotësisht në një ndeshje të eleminatoreve të Botërorit, që synonte pse jo edhe ta fitonte, dhe dyshimet për deklaratat e trajnerit Reja përpara sfidës u duken se ishin plotësisht me bazë. Vetë trajneri italian pati probleme me dëmtimet, pasi dy lojtarë u larguan për 17 minuta, por anglezët kishin nisur ta bënin diferencën. “Hymë me frikë në fushë”, – ishin fjalët kuptimplota të kapitenit Hysaj.

Harri Megajer shënoi i pari, pastaj Harri Kejn shtoi të dytin pas 18 miutash, me kapitenin që realizoi edhe në 33’ e në 45’+2. Kapiteni i Liverpulit, Xhordan Henderson, iu bashkua festës në 28’, dhe “tre luanët” vendosën gjithçka në pjesën e parë. Anglia ka nevojë vetë për një pikë në ndeshjen e fundit ndaj San Marinos për të shkuar në Botëror, ndërsa Polonia bëri detyrën në fushën e Andorrës duke fituar 4-1 me dy gola të Levandovskit, ndërsa Hungaria shkatërroi pikërisht San Marinon 4-0.

Anglia: Pikford, Uolker, Megajer, Stouns, Xhejms (Aleksandër-Arnold 77’), Henderson, Filips (Belingham 63’), Çiluell, Foden (Grilisht 63’), Kejn (Abraham 63’), Stëring (Smith-Roui 77’). Tr. Sauthgejt

Shqipëria: Strakosha, Ismajli, Kumbulla (Dermaku 17’), Veseli, Hysaj, Bare (Laçi 12’), Gjasula, Bajrami (Ramadani 46’), Trashi (Mihaj 46’), Cikalleshi, Uzuni (Roshi 86’). Tr. Reja

Sfidanti.al