Skënderbeu mbeti me shpresë për të shkuar në plej ofin e Ligës së Europës pas humbjes minimale 1-2 në fushën e Mladës së Boleslavit. Skuadra çeke ia doli të fitonte, por formacioni shqiptar shënoi një gol shumë të rëndësishëm që u duk se mund t’i jepte edhe barazimin. Nuk ndodhi ashtu dhe duhet pranuar se Mlada e meritoi suksesin, që mund të kishte qenë edhe më i thellë, veçse në kupat europiane diçka e tillë është normale, dhe sërish skuadra humbëse mund të kualifikohet. Pas një jave, në Korçë, gjithçka mund të jetë ndryshe, në prani edhe të mijëra tifozëve korçarë, dhe për një Skënderbe tashmë me përvojë në kompeticionet kontinentale.
Mlada kaloi në epërsi në minutën e 42-të me anë të Hramostës, duke shënuar më në fund pas tri rasteve të pastër, dy prej të cilëve u neutralizuan nga portieri Orges Shehi, dhe një nga trau i portës. Në minutën e 86-të, Liridon Latifi shënoi me devijim duke barazuar, por një minutë më vonë, Janosh riktheu epërsinë e vendasve. Të enjten që vjen, ndeshja e kthimit luhet në “Elbasan Arena”, ku skuadra e trajnerit Daja pritet të bëjë gjithçka dhe të arrijë kualifikimin për në plej of, me një lojë sulmuese.
Sfidanti.al