Evertoni dhe Njukasëlli e duan, por Broja nuk do një huazi të tretë

E ardhmja e tij qenka e vështirë për t’u vendosur. Armando Broja edhe është në planet e Çelsit, por edhe mund të mos jetë, ndërsa ende ka dy klube në Angli që e duan. Evertoni dhe Njukasëlli nuk e kanë hequr shpresën për ta marrë sulmuesin e kombëtares shqiptare, për të cilin trajneri i Bluve të Londrës, Tomas Tuhel, ende është i pavendosur. Mediat angleze njoftojnë se Broja edhe mund të jepet hua sezonin që vjen, ndërsa Çelsi nuk ka ndërmend ta humbasë për fare 20-vjeçarin. Jo më kot, Tuheli refuzoi ofertën e Uest Hemit që ishte gati të jepte 30 miliona paundë stërlina për kartonin e shqiptarit. Nga ana tjetër, sulmuesi kuqezi nuk ka dëshirë të shkojë në huazim për herë të tretë radhazi.

Ai është lodhur duke qenë gjithnjë në dyshim, siç ndodhi kur ishte në Holandë apo sezonin e kaluar në Premier Ligën angleze, ndaj preferon më mirë që të largohet nga Çelsi në mënyrë përfundimtare. Gjithsesi, Blutë e Londrës duket se ia kanë nevojën Brojës. Trajneri Tuhel ende nuk ka gjetur një zëvendësues për sulmuesin Lukaku që u largua tek Interi, ndërsa gjermani Verner po paraqitet shumë keq. Vetë shqiptari është kthyer në stërvitje me ekipin pas një dëmtimi të pësuar në Amerikë.

Sfidanti.al