Gjermania mund favoriten Francë, luan për titull ndaj Anglisë

Sfida ishte tepër e vështirë, por ato ia dolën. Futbollistet e Gjermanisë e realizuan objektivin duke u kualifikuar për në finalen e Kampionatit Europian në futboll për femra që po zhvillohet në Angli. Në stadiumin e Milton Kejnsit, të mbushur plot me tifozë, vajzat gjermane triumfuan 2-1 ndaj Francës dhe në finalen e së dielës do të ndeshen për titull pikërisht në Anglinë vendase. Franca cilësohej favorite jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për të fituar kampionatin, por Gjermania shfrytëzoi përvojën më të madhe dhe gabimet e rivaleve. Lojtarja më e mirë në fushë ishte sulmuesja gjermane, Aleksandra Pop, autore e të dy golave. Pop kishte realizuar në çdo ndeshje deri tani dhe është golshënuesja më e mirë e turneut me 6 gola. Skuadra franceze ushtroi presion pas pushimit, ndërsa rezultati ishte në barazim 1-1 por nuk shfrytëzoi dot rastet e krijuara, dhe për këtë u ndëshkua. Vlen të theksohet se Gjermania është 8 herë kampione e Europës, më shumë se çdo skuadër tjetër në kontinent, dhe se ka fituar 6 tituj radhazi nga viti 1995 deri në 2013. Finalja do të luhet të dielën pasdite në stadiumin “Uembli” të Londrës, ku pritet të jenë deri në 90 000 tifozë.

Sfidanti.al