Evangjeli Veli fiton 7.3 milionë lekë të reja për medaljet europiane

Shpërblimet kanë ekzistuar prej kohësh, por që nga viti i kaluar janë rritur. Sportistët elitarë marrin miliona lekë të reja sipas vendimit të qeverisë shqiptare në dhjetor 2021, dhe kështu do të ndodhë me Evangjeli Velin. Peshëngritësja 30-vjeçare triumfoi në Kampionatin Europian që po mbahet në “Sallën Olimpike” në Tiranë, dhe titulli kontinental do t’i japë rreth 7.3 milionë lekë shpërblim. Veli do të fitojë 4 milionë lekë të reja për medajen e artë në stilin e shkëputje.

Po ashtu, do të marrë 2 milionë lekë për medaljen e argjendit në shtytje, ndërsa sipas vendimit të qeverisë, medalja e artë në dygarësh shpërblehet me 30 për qind të shumë së njërit stil, pra me rreth 1.3 milionë lekë. Peshëngritësja shqiptare triumfoi në peshën deri 55 kg në Kampionatin Europian që po zhvillohet në kryeqytet, duke ngritur 95 kg në shkëputje ku zuri vendin e parë, 113 kg në shtytje ku doli e dyta dhe 208 kg gjithsej në dygarësh. Ajo la pas rivalen nga Ukraina, Kamila Konotop vetëm për 1 kg në dygarësh, ndërsa në vend të tretë doli Nina Sterks e Belgjikës. Pas suksesit të Velit shpresohet në një titull europian nga Briken Calja që garon këtë të martë në orën 20:00 në peshën deri në 73 kg.

Sfidanti.al