Në majë të gishtave arriti në elitën e futbollit italian. Euzebio Di Françesko nuk kishte ndonjë histori shumë të madhe për të treguar në karrierën e tij si trajner, kur Roma e përzgjodhi si njeriun e duhur për stolin, veçse pas vetëm pak muajve gjithçka duket krejt ndryshe. Me fitoren e derbit, Roma ka 30 pikë në renditjen e Serisë A, duke qenë pranë kreut me një ndeshje me pak, si dhe është në pozita të shkëlqyera në Champions.
I quajtur “DiFra” sipas shkurtimit tipik të dialektit roman, 48-vjeçari nuk e ka pasur të lehtë për të mbërritur deri këtu. Pas 3 viteve të para si trajner me ekipe të vegjël si Lançiano, Peskara apo Leçe, ai “u ngul” për 5 vjet tek Sasuolo ku tregoi se çfarë dinte të bënte. Për një sezon e ngjiti në Serinë A, dhe pasi e stabilizoi aty, u kualifikua edhe për në Ligën e Europës.
Kjo bindi Romën që ta merrte, dhe “DiFra” ka bërë që të zhduket ajo që quhet “fantazma” e Luçiano Spaletit, trajnerit të vetëm të suksesshëm me romanët që nga viti 2006 e deri më sot. Edhe pse nuk pati blerje të mëdha dhe fillimi ishte i vështirë, Di Françesko e forcoi skuadrën që luan mirë futboll dhe fiton. Falë tij janë ringjeneruar lojtarë si El Sharaui, Naingolan, Facio, Manolas, Peroti, ndërsa disa nga lojtarët e afruar janë të rëndësishëm (Kolarov, Pelegrini). Në tabelë, Roma ka 30 pikë në 12 ndeshje, Napoli 35 pikë në 13 takime, ndërsa Juve 31 në 12 dhe Interi 30 po në 12.
Sfidanti.al