Kamza është “macja e zezë” e Skënderbeut, 1-1 në Korçë dhe shpëton Superligën!

Jo gjithkush kapitullon përballë më të mirëve. Edhe Skënderbeu i plotfuqishëm në Superligë e ka një skuadër-mallkim, dhe kjo e ka emrin Kamza. E ngjitur këtë sezon në elitë, e paragjykuar për shkak se e ka qendrën në periferinë e largët të Tiranës, ajo po tregon se jo vetëm mund të mbijetojë, por edhe të luftojë për Europën.

Korçarët u ndalën në barazimin e dytë radhazi, pas atij në Vlorë, ndërsa Kamza është ajo që u ka marrë dy barazime këtë edicion, duke mos lejuar që të mposhtet asnjëherë. Trajneri Ramadan Ndreu, i njohur për shumë vite si strateg i Kastriotit të Krujës, po realizon sezonin e tij më të mirë në stol, në gjithë karrierën.

U luajt futboll shumë i mirë në stadiumin e Korçës, ku kamzalinjtë iu përgjigjën kryesuesve thuajse në çdo moment, edhe pse vendasit padyshim që ishin më afër fitores. Rastet ishin në të dyja portat, ndërsa publiku ndoqi një lojë të pëlqyeshme, të luajtur nga elementë cilësorë. Radash, Muzaka, Xhejms, Osmani apo Soue të Skënderbeut, si dhe Halilaj, Frashëri, Plaku apo Raçiç te Kamza.

Formacioni i trajnerit Daja vuajti shumë për të shënuar, dhe iu desh të priste minutën e 66-të për të kaluar në avantazh. Autori i golit, kroati Marko Radash, rrezikoi edhe dy herë të tjera po nga goditjet e dënimit. Sulmuesi Soue goditi traun e portës së Halilajt, por as kaq nuk mjaftoi.

Në minutat e fundit, korçarët ose u lodhën, ose e lëshuan lojën, dhe miqtë përfituan. Japonezi Fukui dha sinjalin e parë, ndërsa goditjen e realizoi një “ish”, Sebino Plaku. Sulmuesi i larguar në verë me polemika, shënoi katër minuta para fundit, por nuk festoi. Pavarësisht konfliktit me trajnerin Daja, Plaku respektoi ish-tifozët e tij. Pas këtij barazimi, Skënderbeu mbetet në krye me 27 pikë, ndaj 20 të Flamurtarit, ndërsa Kamza është e katërta me 17 pikë.

Në ndeshjen tjetër të orës 17:00, Teutës i mjaftoi një gol për të mundur Vllazninë në Durrës. Shënoi Çyrbja në 15’, dhe durrsakët e trajnerit Magani arritën në 14 pikë, në vendin e 6-të mbi Partizanin, ndërsa Vllaznia është e parafundit, një pikë mbi Lushnjën.

Sfidanti.al