Pjesa e parë ishte e bukur, por nuk ndodhi asgjë. Katastrofa nisi pas pushimit, me Juventusit që nuk i mjaftoi reagimi për të shpëtuar në stadiumin “Luixhi Ferraris” të Gjenovës. Sampdoria arriti një fitore të merituar dhe ndoshta disi të papritur ndaj kampionëve në fuqi, sukses me shifrat 3-2, dhe që tregon se dorianët janë një forcë në këtë sezon të Serisë A.
Vendasit kryesuan deri në 3-0, me rrjetat e shënuara nga Zapata, Torreira dhe Ferrari, ndërsa jo më kot janë në vend të 6-të, me shanse dhe shpresa reale për të luftuar jo vetëm për Europën, por edhe për Championsin.
Gjashtë herë kampionët radhazi nuk është se u dorëzuan, por nuk ishin bindës deri në fund. Rrjetat në fund nga Higuain e Dibala thjesht ngushtuan shifrat e disfatës, që ishte e dyta në këtë kampionat, pas asaj në fushën e vet ndaj Lacios. Napoli tani është 4 pikë larg, ndonëse një diferencë aspak penguese për të synuar titullit.
Gjithsesi, lëkundjet e shumta të skuadrës së Alegrit, ashtu si edhe të kombëtares së Italisë tregojnë se disa nga lojtarët kryesorë nuk po kalojnë formën më të mirë. Në fund të fundit, nuk është ndonjë tragjedi nëse titulli nuk fitohet për herë të shtatë pa ndërprerje. Edhe kampionët, në një moment ndihen të ngopur.
Sfidanti.al