Prej muajsh qarkullon në Ballkan ideja e një bashkëpunimi “vëllazëror” mes Shqipërisë dhe Serbisë për organizimin e Euro U-21. Në pozita të tjera dhe në një rajon normal, të papërndjekur nga fantazmat e së shkuarës, kjo do të ishte një ide logjike dhe shumë e leverdissshme, normalitet që përpiqen ta shesin edhe në rastin tonë. FSHF dhe kreu i saj si promotor i kësaj ideje, e justifikojnë këtë lëvizje me faktin se asnjë kandidaturë tjetër nuk e kaloi testin e UEFA-s, por a mjafton kjo për të mbuluar si normale një ide të tillë në kufijtë e çmendurisë? Ndoshta në selinë e futbollit shqiptar janë të bindur se drejtuesi “magjistar” i FSHF-së është pajisur edhe me aftësi më të mëdha se sa thjesht ato drejtuese sportive.
Çuarja përpara e kësaj ideje është tregues së në atë godinë besojnë që presidenti i tyre ka fuqinë për të zhbërë genocidin që edhe sot Serbia e mbështet masivisht e kjo duket qartë çdo fundjavë apo mesjavë europiane në stadiumet e futbollit dhe jo vetëm, ku tifozët serbë shpalosin banderola me Kosovën në zemër të Serbisë. A është normale kjo për FSHF-në? A nuk do të mjaftonte kjo në një vend normal që askujt mos t’i shkonte ndërmend marrëzia e organizimit të një turneu me “armikun” që edhe sot ka qëllime uzurpuese ndaj vëllait tonë të vogël? Ndoshta në FSHF besojnë se misioni i tyre është përtej futbollit dhe me këtë organizimin janë të bindur që mund të rikthejnë normalitetin në rajon, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse njeriu që e ka ideuar këtë projekt, ka fuqi të mbinatyrshme. Këtë ai nuk e ka vërtetuar deri më sot.
Nga Pirro Bardhyli