Etrit Berisha zyrtarisht kthehet në Serinë A, është portier i Torinos!

Numri 1 kuqezi mori atë që meritonte. Etrit Berisha do të kthehet të luajë sërish në Serinë A italiane dhe këtë do ta bëjë me Torinon. Portieri kuqezi shkëlqeu sezonin e kaluar me SPAL-in e Ferrarës në Serinë B, duke pritur edhe tri penallti, dhe duke u vlerësuar lart pavarësisht se skuadra nuk arriti të ngjitej në kategori. Në moshën 32-vjeçare, shqiptari i Kosovës, dëshiron të vazhdojë për shumë kohë në nivele të larta, dhe për këtë do ta ndihmojë kontrata 3-vjeçare që ka firmosur me Torinon. Ai ka kaluar me sukses vizitën mjekësore në klubin nga Piemonti, ndërsa mbërrin me parametër zero sepse i përfundoi kontrata me SPAL-in. Berisha ka qenë për 7 sezone në Serinë A, në të kaluarën, duke shkëlqyer me Lacion, Atalantën dhe SPAL-in, ndërsa njihet si specialist i penalltive. Portieri i kombëtares kuqezi ka pritur 11 penallti, nga të cilat 9 me klubet dhe 2 me ekipin përfaqësues.

Sfidanti.al