A është vërtet Kristiano Ronaldo, “i burgosuri i Realit”?!

Zhoze Murinjo nxorri nga goja një nga frazat e tij të mëdha të radhës. “Kristiano Ronaldo nuk mund të vijë tek Junajtid, pasi Reali nuk do ta lejonte, –  u shpreh portugezi, – është një derë e mbyllur. Ai do të largohet të luajë 1 vit në Amerikë apo diku tjetër, vetëm kur Madridi të vendosë të bëjë kështu”. Në epokën e fuqisë së madhe të lojtarëve dhe të agjentëve të tyre, sërish paska pra klube që qenkan në gjendje të krijokan “kafazë prej ari”.

Presidenti Florentino Perez mund të rrijë i qetë në kolltukun e zyrës së tij, pasi në tavolinë ka kontratën me yllin portugez që vlen deri në 2021. Rroga e tij është 30 milionë euro në sezon apo diçka më shumë, edhe pse mbetet prapa Lionel Mesit dhe Nejmarit. Këtu, po, që duhet bërë diçka, ndonëse nuk dihet nëse Madridi mund t’i japë CR7-ës, 40 milionë eurot në vit që Barcelona i jep Mesit.

Mosha 33-vjeçare e bën pak të vështirë, edhe pse vlera sportive dhe financiare e Kristianos është e pakrahasueshme me çdo lojtar tjetër në klubit spanjoll. Ai ka shënuar deri tani 43 gola në 42 ndeshje në sezon, në pritje të finales së Championsit ndaj Liverpulit, ndërsa Reali fiton dhjetëra milionë euro në vit nga të drejtat e imazhit të numrit 7, të cilat janë të ndara së bashku.

Pavarësisht zërave të shpeshtë për konflikte dhe ftohje, “martesa” e Ronaldos në “Bernabeu” mbetet e sigurt. Asnjë klub tjetër në Europë nuk mund t’i ofrojë atë që i jep Reali, mundësinë për të fituar Championsin çdo vit, nëse përjashton Barcelonën, por ku ai  nuk mund të shkojë.

Sfidanti.al