Elseid Hysaj, një gol për Lacion për të mposhtur polemikat!

Edhe tifozët e ndodhur në stadiumin “Xandexhakomo” (Zandegiacomo) u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën. Një pasdite shumë e mirë për Elseid Hysajn në miqësoren e radhës gjatë fazës përgatitore. Mbrojtësi shqiptar shënoi në sfidën ndaj ekipit vendas të quajtur Fiori Barp Sospirolo, me një goditje të saktë me të majtën. Ndeshja u fitua 11-0 pra nuk ishte shumë e vështirë, veçse për Hysajn goli ishte tepër i rëndësishëm për t’i dhënë një kënaqësi pas disa ditëve të tensionuara me polemika me tifozët pasi këndoi këngën “Bela çao” (Bella ciao), që është e lidhur me rezistencën antifashiste në Itali në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa ultrasit lacialë e cilësojnë veten fashistë. Shokët e skuadrës nxituan ta përshëndesnin e ta përgëzonin për golin, të parët ishin Luis Alberto, Marushiç e Milinkoviç-Saviç.

Sfidanti.al