E pati si ide sepse ashtu i pëlqeu, ndërsa kuptohet që e bëri privatisht. Elseid Hysaj është bërë temë diskutimi për tifozët e Lacios për shkak se këndoi “Bela çao” në momentin e prezantimit. Shoku i tij, Luis Alberto, e botoi videon me Hysajn që këndonte këngën e famshme partizane. Kjo krijoi polemika mes tifozëve lacialë, pasi ultrasit e tyre njihen si të lidhur shpirtërisht me krahun e djathtë, madje mund të thuhet edhe me fashizmin. Shumë prej tyre komentuan duke shkruar që Hysaj duhet të largohet apo që Lacio duhet të luajë më mirë me 10 lojtarë.
Po ashtu, pati nga ata që shkruan se Hysaj ndoshta nuk e di se nuk ndodhet në Livorno, një qytet ku prania e madhe punëtore e bënte shumë të majtë, socialist deri edhe komunist. Gjithsesi, pati mjaft tifozë më të zbutur lacialë që thanë se kjo që bëri Hysaj do ta ndihmojë Lacion, pasi tregon se klubi nuk është i lidhur me fashizmin. “Bela çao” (Bella ciao) është këngë e kënduar nga partizanët në Itali në vitet 1943-1945, ndërsa origjina e saj është në shekullin e 19-të, e krijuar si protestë për kushtet e vështira të grave që punonin në fushat e luginës së Lumit Po në Italinë e Veriut.
Sfidanti.al