Edhe një herë Sergio Ramos, përgjithmonë Ramos për Realin!

Betis u duk se do ta merrte një pikë në “Bernabeu” dhe Reali nuk do të dilte dot i pari në ligë. Veçse, si shpesh herë, fjalën e fundit e tha kapiteni. Sergio Ramos shënoi me kokë në minutën e 81-të dhe madrilenët mundën 2-1 skuadrën nga Sevilja duke qenë tani të vetëm në krye të kampionatit. Një ndeshje tepër e vështirë u zgjidh me sukses dhe u shfrytëzua gabimi i bërë nga Barcelona. Për numrin 4 ishte goli i 10-të në 29 ndeshje këtë sezon, ku ka dhënë edhe 2 asistë. Jo të gjithë sulmuesit mund të jenë kaq mirë sa qendërmbrojtësi.

Miqtë kaluan të parët në epërsi me autogolin e Kejlor Navasit, që u vërshëllye nga tifozët në stadium. Ishte minuta e 25-të dhe Betisi ishte në 1-0, por kur duheshin edhe 5 minuta deri në fund të pjesës së parë, Kristiano Ronaldo barazoi llogaritë. Reali pati fat që gjyqtari nuk nxorri me të kuqe Kejlor Navasin për një ndërhyrje ndaj njërit prej kundërshtarëve duke qenë lojtari i fundit përpara portës. Dhurata ndihmoi të besuarit e Zidanit që shënuan në fund me anë të Ramosit dhe tani kanë 62 pikë ndaj 60 të Barcelonës, me një ndeshje më pak të luajtur dhe me “El Klasikon” në Madrid. Duket vërtet viti i mbarë për të dalë kampion.

Sfidanti.al