Në fund vjollcët kaluan me meritë për në raundin tjetër, veçse në stadiumin “Maradona” ndodhën kaq shumë gjëra. Një fitore 5-2 e miqve pas 120 minutave, me 3 kartonë të kuq, por kjo nuk thotë gjithçka. Fiorentina pati epërsinë me gola 2-1 (Vlahoviç, Biragi), por pikërisht në fund arbitri Airoldi bëri një gabim duke ndaluar lojën ndërsa miqtë ishin duke shënuar në portën e Napolit. Airoldi ndaloi lojën dhe përjashtoi me karton të kuq Fabian Ruizin (90’+3), veçse rezultati nuk shkoi në 1-3.
Ata nga Firence u tërbuan dhe Napoli përfitoi duke barazuar në minutën e 5-të shtesë, pra ndeshja kaloi në 30 minutat e shtesës. Përpara Ruizit, dy ekipet kishin mbetur me nga 10 vetë, kur Dragovski mori të kuq për Fiorentinën në fund të pjesës së parë dhe Lozano për Napolin në 84’. Një sakrificë “vjollcë” me shumicën e pjesës së dytë në inferioritet numerik, por fatin e pati më pas. Në 30 minuta shtesë ishte Fiorentina që pati një lojtar më shumë dhe nga kjo shpërtheu e fitoi 5-2. Venuti në 105’+1, Piontek në 108’ dhe Maleh në 119’ shënuan golat, me ekipin “vjollcë” që do të luajë në raundin tjetër me Atalantën.
Sfidanti.al