E vërtetë që Mbape e Nejmar do bisedojnë shpejt me Paris SG?!

Drejtori sportiv, Leonardo, shprehet i sigurt se është kështu, madje shton se ndihet i lumtur që kjo gjë do të ndodhë. Pra, klubi parizien ka bindjen se do të mundet të ulet në tavolinë me dy yjet kryesorë, Kilian Mbape e Nejmar, për të arritur akordin për rinovimin e kontratave. Gjithsesi, sa e mundshme është diçka e tillë? Ka një paradoks, sidomos lidhur me sulmuesin francez, i cili gjithnjë e më shumë po shkëlqen, dhe gjithashtu PSG-ja gjithnjë e më shumë po arrin suksese.

Pavarësisht nga kriza (e pjesëshme) në Ligën e Parë të Francës, Championsi është ai që ka rëndësi dhe Parisi që nga viti 2019 është pa ndërprerje në garë. Në 2019-2020 arritën finalen e humbur ndaj Bajernit, ndërsa që nga fillimi i këtij sezoni vazhdojnë të ecin përpara, edhe pse patën vështirësi në fazën e grupeve. Fitoret në Barcelonë e Mynih treguan forcën e skuadrës, edhe pse jo ndonjë lojë spektakolare, dhe përsa i përket suksesit në fushë, Mbape e Nejmar mund të jenë të sigurt se do ta arrijnë në Francë.

Gjithsesi, Mbape kërkohet nga Reali i Madridit, ndonëse për të është folur edhe për Liverpulin. Padyshim që Premier Liga dhe La Liga janë më të forta sesa Liga franceze, dhe sulmuesi 22-vjeçar u shpreh pas ndeshjes me Bajernin se “mua më pëlqen të luaj me më të fortët e Europës”. Nejmar është në pozita pak më të ndryshme në moshën 29-vjeçare, por flitet se Barcelona e ka nxitur që të mos rinovojë dhe të kthehet në “Kamp Nou” me parametër zero në 2022.

Sfidanti.al