Flik dhe Kahn me një gojë: Bajerni i madh, humbja e pamerituar!

Trajneri dhe anëtari i bordit nuk kanë asnjë dyshim sesi duhej të kishte përfunduar ndeshja e Championsit. Hansi Flik dhe Oliver Kahn janë të mërzitur, por jo të dorëzua e pesimistë ndërsa Bajerni u mund 2-3 në Mynih nga Paris SG në Ligën e Kampionëve. “Vërtet kundërshtari shënoi 3 gola nga rastet e pakta që pati, ndërsa ne vetëm dy, por mënyra sesi luajtëm ishte e shkëlqyer, – tha Fliku, – ne mund të kishim marrë rezultat tjetër, por bëmë shumë gabime para portës. E urrej humbjen, por jam i lumtur për lojën. Luftuam për 90 minuta”.

Oliver Kahn komentoi se humbja ishte e tepër, ndërsa foli edhe për të ardhmen e trajnerit. “Nuk kam fjalë, – u shpreh ai, – pësuam gol shpejt, më pas arritëm të barazonim në mënyrë spektakolare. Por, në fund ata shënuan sërish dhe ne nuk arritëm të shfrytëzonim rastet e pastra. Humbja ishte e tepërt. Flik? Nuk e di se çfarë do të bëjë, ai kërkon të fokusohet te sezoni i tanishëm. Për atë që vjen do të flasim më vonë”.

Heroi i ndeshjes, sulmuesi i PSG-së, Kilian Mbape, e pranoi se ishte shumë e vështirë ndaj Bajernit. “Ishte një ndeshje e vështirë ndaj skuadrës më të mirë në Europë për momentin, por ne luajtëm mirë, ishim një skuadër e vërtetë. Dua ta përgëzoj gjithë ekipin, por kjo ishte vetëm ndeshja e parë, kemi edhe një tjetër ndaj duhet të jemi të përqëndruar. Më pëlqen të luaj ndaj më të mirëve në botë dhe Nojeri është një nga portierët më të mirë në histori. Nuk pata presion, dështuam në finale, por kjo ishte një ndeshje tjetër”.

Sfidanti.al