Kjo skuadër nuk krahasohet dot me historinë e Mançester Junajtidit apo Liverpulit, as në Angli dhe as në Europë, por gjithsesi historia edhe shkruhet. Çelsi i Londrës është shumë pranë gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve pas fitores 2-0 në fushën e Portos, dhe tifozët mund të jenë krenarë që blutë e tyre po luftojnë për trofe të mëdhenj. Nëse do të shkohet në katërshe, do të jetë hera e parë pas 7 vjetësh (që nga 2014).
Shpresohet një kthim në epokën e artë të viteve 2003-2009, kur skuadra e drejtuar nga Ranieri, Murinjo, Grant dhe Hidink arriti pesë herë radhazi në gjysmëfinale të Championsit, madje në 2008 luajti finalen e madhe të humbur me penallti ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit.
Disa vjet më pas, në 2012, Çelsi arriti kulmin europian në histori duke fituar Championsin në finalen e luajtur në Mynih ndaj Bajernit, pas gjuajtjes së penalltive. Ishte konsakrimi i brezit të Frenk Lampardit, Didie Drogbasë, Petr Çehut, Eshli Koulit, Mikael Esienit, Floren Maludasë apo Fernando Torresit, ndonëse legjenda Xhon Terri ishte i pezulluar, dhe në vend të tij luajtën David Luiz apo Geri Kejhill. Në finale nuk luajtën as Ivanoviç, Meireles apo Ramires.
Në 2013-2014 ishte hera e fundit në gjysmëfinale, mposhtur nga Atletiko e Madridit, 1-3 e 0-0. Në 2014-2015, blutë e Londrës u eleminuan nga Paris SG pas rezultateve 1-1 e 2-2. Në 2015-2016, Çelsi u largua nga kompeticioni sërish prej PSG-së, me dy humbje 1-2 e 1-2 Në 2017-2018 u eleminua në të tetat e finaleve nga Barcelona. Në këtë periudhë u fituan edhe dy Liga të Europës, në 2013 ndaj Benfikës me trajner Benitezin dhe në 2019 ndaj Arsenalit me Sarrin në stol. Shpresohet që triumfet në Champions të kthehen këtë herë me Tomas Tuhelin.
Sfidanti.al