Granada, mrekullia europiane me vetëm një grusht parash në xhep

Sezonin e kaluar ky klub kishte buxhetin e tretë më të vogël të ligës spanjolle, vetëm 37 milionë euro, por sërish ia doli që të kualifikohej për në kontinent. Kjo është Granada, skuadra e vogël iberike që është kthyer në një gjigande në Ligën e Europës e do të sfidojë sonte Mançester Junajtidin. Edhe pas pjesëmarrjes në këtë kompeticion, sërish trajneri Diego Martinez nuk pati në dispozicion më shumë se 59 milionë euro për të shpenzuar, kurrgjë në krahasim me 470 milionët e Realit të Madridit, por sërish suksesi nuk po mungon.

Granada arriti çerekfinalet e Ligës së Europës pasi eleminoi edhe Napolin gjatë rrugës, ndërsa në La Liga po mbahet mirë në vendin e 9-të me gjithë ngarkesën kontinentale. Ekipi u ngjit në elitën spanjolle vetëm në 2019, pra dy vjet më parë, ndërsa provoi 35 vjet në kategorinë e dytë, që morën fund në 2011. Trajneri Martinez po bën një punë të mrekullueshme, duke përshtatur sistemin e lojës sipas ndeshjeve, e duke pasur një numër të madh lojtarësh që i kishte që nga kategoria e dytë. Disa nga emrat më të spikatur janë portieri Rui Silva, mbrojtësi Duarte, mesfushori Jangel Herrera, ndërsa në sulm janë Roberto Soldado 35-vjeçar dhe Daruin Maçis, Puertas, Kenedi si dhe 38-vjeçari Horge Molina.

Sfidanti.al