Është skuadra më e madhe e mbetur në garë dhe padyshim favorite. Mançester Junajtidit duhet ta tregojë sonte ndaj Granadës nëse mund të jetë pikërisht e tillë në çerekfinale të Ligës së Europës, ashtu siç bëri edhe me fat ndaj Milanit një raund më herët. Në orën 21:00, anglezët luajnë në fushën e spanjollëve që padyshim janë të rrezikshëm. Junajtidi nuk ka Marsialin e dëmtuar dhe Erik Beilin me Kovid. Gjithsesi, sulmuesi Rashford është përfshirë në ekip, e duket se ka kaluar dëmtimin që pësoi në kampionat, ndonëse mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Po ashtu, Huan Mata dhe Tejes do të jenë në grup, ku bëjnë pjesë të gjithë lojtarët e rëndësishëm si dy portierët kryesorë De Gea e Henderson, Megajer, Shou, Fernandes, Pogba apo Kavani.
Trajneri Solskjer pret një përballje të vështirë. “Granada është një skuadër me karakter të madh, – tha norvegjezi, – kam parë shumë ndeshje të saj, kemi pasur të dërguarit tanë në stadium. Një ekip me shumë përvojë. Për dy sezone radhazi po paraqiten shumë mirë. Nuk dua të cilësohemi favoritë, Granada eleminoi Napolin”.
Në garë për trofeun e madh është Roma ku luan Marash Kumbulla. Qendërmbrojtësi 20-vjeçar shënoi ndaj Jang Bojsit, por për fat të keq është i dëmtuar dhe nuk do të jetë në përballjet ndaj Ajaksit. Holandezët, që janë tepër të sigurt në kampionat, nuk kanë klasin e viteve të kaluara, por përvoja e tyre i bën tepër të rrezikshëm për italianët.
Një skuadër e veçantë në 8 më të mirat është Dinamo e Zagrebit. Kroatët janë për herë të parë në këtë nivel që nga fundi i viteve 60-të kur luanin në ish-ligën federale të Jugosllavisë, ndërsa habitën gjithë kontinentin kur eleminuan Totenhemin e Murinjos, duke krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm jo vetëm në ekip, por edhe tek tifozët që dogjën kryeqytetin pa pyetur për masat anti-Kovid. Ballkanasit do të jenë përballë Vijarrealit të Spanjës, që është padyshim favorit, por që nuk ka asgjë të sigurt, siç nuk e pati Totenhemi.
Ekipi i dytë anglez në Ligën e Europës është Arsenali. Londinezët kanë qenë katastrofë në Premier Ligë, por suksesi vazhdon në kontinent, dhe ky trofe mbetet shpëtimi i vetëm për trajnerin Mikel Arteta, plus që të kualifikon në Champions. Përballë “topçinjve”, Sllavia e Pragës, që po dominon kampionatin çek dhe që ka qenë e shkëlqyer në Europë deri tani.
Sot, 21:00: Granada-Mançester Junajtid, Ajaks-Roma, Dinamo Zagreb-Vijarreal, Arsenal-Sllavia Pragë.
Sfidanti.al