Ndëshkimin e morën vesh gjysmë ore para se të dilnin në fushë. Me gjasë ndikoi edhe kjo që Juventusi u turpërua në Empoli, në sfidën e Serisë A që u mendua se do të ishte revanshi i radhës ndaj vendimeve të drejtësisë sportive italiane. Në rast fitoreje, edhe me 10 pikë të hequra, skuadra e trajnerit Alegri do të ishte plotësisht në lojë për t’u kualifikuar për në Champions. Ndodhi e kundërta, dhe nuk mund të përcaktohet qartë nëse për shkak të dënimit nga Komisioni i Apelit në Federatë, apo edhe nga pakënaqësitë e lojtarëve ndaj Alegrit. Katastrofa 1-4 në Empoli bëri që Juventusi të mbetet në 59 pikë, plot 5 pikë larg zonës Champions, Milanit të vendit të katërt, kur mbeten edhe dy javë kampionat, pra edhe 6 pikë.
Vetëm një mrekulli e rrallë mund të ndryshojë situatën. Trajneri u shpreh pas ndeshjes se kjo që ka ndodhur me Juven është një vrasje e vërtetë, sepse nuk mund të jepet vendimi çerek ore para ndeshjes. Alegri deklaroi se ishte i lodhur, por se skuadra në fushën e lojës ka dalë në vend të dytë. “Zonja e Vjetër u dënua me heqje të 10 pikëve në renditjen e Serisë A, ndëshkim më i lehtë sesa ai që u dha disa javë më parë me heqjen e 15 pikëve, dhe po ashtu më i lehtë sesa kërkesa e prokurorisë për 11 pikë.
Klubi më i madh në Itali u dënua për shkak të mashtrimeve në bilancet financiare dhe në kontratat e futbollistëve, dhe vetëm zv. presidenti Nedved u fal. Piemontezët kanë si mundësi të fundit ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër. Mediat në Apeninë shkruajnë se tashmë pritet largimi i disa yjeve nga skuadra si Di Maria apo Vlahoviç, ndërsa nuk është e sigurt e ardhmja e Alegrit në stol.
Sfidanti.al