NBA, Denver “fluturon” në finale, Jokiç ia del me një Lebron të madh!

Ishin shumë pranë, dhe arritën tek suksesi i madh. Denver Nagets janë finalistët e parë të plej ofit në basketbollin amerikan, e tani presin rivalin me të cilin do të diskutojnë titullin. Triumfi në finalen e Konferencës Perëndimore në NBA ishte i plotë dhe i merituar, me shifrat 4-0 me fitore ndaj një emri kaq të madh sa Los Anxhelos Lejkërsat. Ata që janë rekordmenë të titujve, bashkë me Bostonin, u dorëzuan  dhe morën “fshesën”, siç thuhet në zhargonin e basketbollit në Amerikë. Nikola Jokiç u kthye tek tripëll dabëlli, me shifra të denja për një kampion të ardhshëm. Ylli nga Serbia shënoi 30 pikë, 14 topa në tabela e 13 asistë, plus një vjedhje topi e tre bllokime gjuajtjesh. Ai u ndihmua nga Marrej me 25 pikë, Gordon me 22 si dhe Porter me 15.

Gjithsesi, titulli i parë kampion në historinë e Denverit në Perëndim, nuk u arrit lehtë, pasi shifrat e fitores së fundit ishin 113-111, dhe Lejkërsat kryesuan me 15 pikë në pushim. Kjo falë një Lebron Xhejmsi që nuk dëshiron të plaket edhe pse është 38 vjeç. “Mbreti” i koshit shënoi 40 pikë dhe iu afrua tripëll dabëllit me 10 topa në tabela e 9 asistë. Lebroni u bë më i vjetri lojtar në historinë e ligës që shënon 40 pikë në plej of, por tashmë dyshohet se mund të tërhiqet nga basketbolli. Ai u shpreh pas ndeshjes se duhet të marrë shumë gjëra në konsideratë. Jokiç ndërkaq u shpall Lojtari më i mirë i finaleve të Perëndimit, dhe Denveri pret rivalin për finalen e madhe të NBA-së, me Majemin që është favorit ndaj Bostonit.

Sfidanti.al