Juventus-Napoli është një nga ato sfida që i japin maksimumin e bukurisë një kampionati. Kur duhen edhe 5 javë deri në mbyllje të Serisë A, napolitanët kanë ndoshta shansin e fundit që ta mbajnë garën të hapur deri në mbyllje. Me dy skuadrat që kanë 4 pikë diferencë (në favor të Juves), një sukses i të besuarve të Sarrit do të bënte që distanca të zbriste në 1 pikë, pra që të luhej deri në fund.
A mund të ndodhë mrekullia në Torino? E besojnë tifozët napolitanë, që u mblodhën plot 2 mijë për të përcjellë skuadrën që udhëtoi dje dhe kaloi natën në kryeqendrën e Piemontit. E besojnë edhe lojtarët natyrisht, dhe po ashtu Mauricio Sarri. Bilanci nuk i bën shumë optimistë, por një ndeshje jo gjithnjë përcaktohet nga statistikat.
Sarri ka një formacion të kompletuar, ku Kulibali kthehet në mbrojtje në krah të Albiolit (dhe ku ndodhet edhe Elseid Hysaj). Në mesfushë janë 3 titullarët e zakonshëm Alan, Zhorzhinjo e Hamshik, ndërsa në sulm dy janë të përcaktuar, Kajehon e Insinje, ndërsa Mertens mund të marrë vendin e sulmuesit polak, Milik.
Juventusi ndërkaq mund të ketë pak ndryshime, dhe Alegri mund të lerë pushim Dibalën. Në krah të Higuainit do t’i takonte të luante Mario Manxhukiç, e bashkë me ta, në sulm, edhe Dagllas Kosta. Ndryshimi tjetër i kampionëve pritet të jetë ai i Lihtshtajnerit në stol, dhe Hëvedesit në formacion, me ndeshjen që luhet sot në 20:45.
Sfidanti.al