Dy Kristiano këtë sezon, shkëlqen në Champions, “memec” në La Liga!

Nuk pritej as nga ai vetë, dhe nga askush një fillim i tillë sezoni. Pa problem në Ligën e Kampionëve, ku vazhdon të jetë shumë mirë, me 4 gola në 2 ndeshje, por La Liga në Spanjë i ka qëlluar e vështirë Kristiano Ronaldos. Jo vetëm sepse ishte i dënuar për 4 ndeshje, pas shtyrjes së arbitrit në Superkupë, por edhe sepse rikthimi në fushë nuk është shoqëruar me lavdinë e golit. Në përballjet ndaj Betisit dhe Alaveshit, nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, ndonëse gjuajti 20 herë, dhe ndaj Alaveshit goditi dy herë shtyllën.

Të dielën ndaj Espanjolit duhet të shënojë, nëse nuk dëshiron të vendosë një rekord negativ të karrierës në Madrid. Kurrë, që kur mbërriti në “Santiago Bernabeu” në 2009, nuk ka ndodhur që Kristiano të mos shënojë në 3 ndeshje radhazi në kampionat. Maksimumi, ka mbetur pa gol në dy ndeshje njëra pas tjetrës, edhe kjo shumë rrallë një herë në 2011-2012, një herë në 2012-2013, një herë në 2013-2014 dhe për herë të fundit në 2015-2016.

Sfidanti.al