Nica paska qenë “e keqja” e Laçit, Cungu, jo “profet” në qytetin e tij!!

Qenka dashur vetëm diçka. Mjaftoi largimi i trajnerit Stavri Nica që Laçi të kthehej te fitorja. Pas dy humbjeve radhazi, dhe me drejtuesin e ri teknik, Gentian Mezanin, kurbinasit kaluan Vllazninë 2-0, duke treguar një nivel krejt tjetër nga ai i kohëve të fundit.

U pa Laçi që mundi 2-0 Partizanin në ndeshjen e parë të Superligës, me futbollistët mjaft të mobilizuar, edhe pse në një fushë aspak të mirë. Keqardhje e vërtetë për terrenin e stadiumit, që vetëm pak kohë më parë ka qenë ndoshta më i miri në Shqipëri. Nëntëmbëdhjetëvjeçari Xhixha ishte autor i golit të parë, ndërsa i dyti pas pushimit ishte një autogol i shkaktuar nga Pjeshka i shkodranëve.

Vllaznia e trajnerit Cungu tregoi edhe një herë limitet e saj. Specialisti shkodran, i suksesshëm tek Kukësi e Laçi, nuk po i realizon ambiciet e tij në stolin e skuadrës së zemrës.  Edhe pse miqtë i patën disa momente të mira, në tërësi ishin më dobët sesa kurbinasit duke humbur meritueshëm. Pas këtij rezultati, Laçi u ngjit në mesin e tabelës me 6 pikë, ndërsa Vllaznia ka vetëm 4. Duket se shkodranët mund të kenë një tjetër sezon të vështirë, si ai i kaluari, kur shpëtuan vetëm javën e fundit nga rrëzimi në Kategorinë e Parë.

Sfidanti.al