Drita e ka mbyllur fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me 8 pikë, falë 2 fitoreve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve, duke u renditur në vendin e 20-të dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e play-off-it. Skuadra nga Gjilani triumfoi ndaj Shelburne dhe Shkëndijës, mori barazime kundër KuPS dhe Omonias, ndërsa u mposht nga AZ Alkmaar dhe Rayo Vallecano. Pikërisht ndaj spanjollëve, Drita zhvilloi të enjten ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke pësuar humbje 3-0.
Pavarësisht kësaj disfate, bilanci i përgjithshëm rezultoi i mjaftueshëm për të siguruar vazhdimësinë në Evropë. Renditja në pozitën e 20-të, mes ekipeve që nuk u kualifikuan direkt në 1/8 e finales, përfaqëson një sukses historik për klubin dhe për futbollin kosovar në tërësi. Pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve, është konfirmuar se kundërshtarët e mundshëm të Dritës në play-off do të jenë Celje nga Sllovenia ose AZ Alkmaar nga Holanda. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen më 19 dhe 26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar.
Pjesëmarrja në këtë edicion të Ligës së Konferencës i ka sjellë Dritës përfitime të konsiderueshme financiare. Dy fitoret në fazën e grupeve i siguruan klubit 800.000 euro, ndërsa dy barazimet i sollën 266.000 euro. Po ashtu, klubi ka përfituar edhe 80.120 euro nga shpërblimet shtesë të barazimeve të tjera. Kualifikimi në play-off i shton arkës edhe 700.000 euro të tjera. Për pjesëmarrjen në fazën e grupeve, Drita ka përfituar 3.170.000 euro, ndërsa bonusi kryesor i kësaj faze kap vlerën e 476.000 eurove. Në total, përfitimet arrijnë në 5.492.120 euro, pa përfshirë market pool-in dhe shpërblimet e tjera shtesë, të cilat e çojnë shumën përfundimtare mbi 6 milionë euro. Ky sukses përfaqëson një hap gjigant për Dritën, e cila jo vetëm që ka shënuar progres sportiv në arenën evropiane, por ka ndërtuar edhe një bazë të qëndrueshme financiare për të ardhmen e klubit.
sfidanti.al

