Barcelona nxjerr në shitje bileta VIP për ‘El Clásico’-n

Barcelona ka nisur shitjen e biletave për ndeshjen e LaLiga-s kundër Real Madridit, që do të zhvillohet në fillim të majit 2026, një përballje që mund të jetë vendimtare për kampionatin, pasi pas saj do të mbeten vetëm tri ndeshje deri në përfundim të sezonit.

Derisa organizimi i saktë i ndeshjes nuk është përcaktuar ende (nëse do të luhet të shtunën, më 9 maj, apo të dielën, më 10 maj), klubi katalanas ka nxjerrë tashmë në shitje vetëm biletat VIP, të cilat kanë një çmim të lartë: 4.000 euro secila. Ky është katërfish i çmimit normal për këtë kategori, duke u krahasuar me ndeshje të tjera të rëndësishme, si përballja me Oviedon (1.000 euro) ose ndeshja e Champions ndaj Kopenhagës (1.150 euro).

Biletat VIP ofrojnë vende pranë lojtarëve dhe bankinës së ekipit, si dhe akses në sallën VIP të stadiumit, ku përfshihet edhe ‘catering premium’ para dhe pas ndeshjes, sipas informacionit të publikuar nga Barcelona. Ky lloj biletash është menduar për ata që kërkojnë një eksperiencë luksoze dhe ekskluzive, duke kombinuar shikimin nga vendet më të mira në stadium me shërbime të veçanta. Shitja e tyre tashmë ka filluar, megjithëse ende nuk janë konfirmuar oraret zyrtare të ndeshjes.

sfidanti.al