“Dridhet” FSHF, finalja e Ligës së Konferencës në Tiranë është në dyshim!

Gjithçka nisi më së miri në Zyrih. UEFA hodhi shortin e edicionit të parë të Ligës së Konferencës, me finalen që parashikohet të luhet në “Arenën Air Albania” të Tiranës, ndërsa Lorik Cana ishte ai që tërhoqi shortin. Gjithsesi, pak muaj para finales gjithçka është në rrezik. Problemi më i madh u krijua pikërisht nga dhuna e tifozëve në ndeshjen e Superligës mes Tiranës e Vllaznisë.

UEFA pati një delegacion në Tiranë, ku bisedoi me Federatën dhe me autoritetet shtetërore e vendore, duke shprehur shqetësimin sidomos për nivelin e sigurisë, dhe burime në Federatë pohojnë se ka ankesa për kompaninë private të sigurisë. UEFA do të dërgojë delegacione të tjerë në kryeqytetin shqiptar për të vëzhguar ndeshje të tjera e për të biseduar.

Natyrisht, incidenti në Tiranë nuk ishte një rast i veçuar këtë sezon në Europë. Në Francë dhuna e tifozëve ka shpërthyer në shumë raste, duke sjellë dënime dhe anulime të ndeshjeve, por nuk ka rrezik për dënime nga UEFA. Po ashtu, incidenti ndodhi edhe në ndeshjen e Kupës së Mbretit në Spanjës mes Betisit dhe Seviljes ku u godit një lojtar me shufër hekuri, me sfidën që u braktis për t’u luajtur të nesërmen.

Ndërkaq, sfida organizative është e madhe, dhe jo vetëm sepse për Shqipërinë është finalja e parë. Do të ketë 92 avionë çarter që do të vijnë në Aeroportin e Rinasit për të sjellë tifozët si dhe delegacionet e të gjitha llojeve, në radhë të parë të dy ekipeve finaliste. Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, propozoi të vendoste në dispozicion të tifozëve autobusët e rinj fizarmonikë të linjës së Unazës, për të zgjidhur problemine transportit deri në sheshin “Skënderbej”.

Për momentin, finalja mbetet në Tiranë dhe do të luhet në 25 maj në orën 21:00 në “Arenë”, ndonëse UEFA ka treguar që për ngjarje madhore mund të marrë vendim edhe në skaj, siç bëri me finalen e Championsit në 2020 që u hoq nga Stambolli e u luajt në Portugali për shkak të Kovidit.

Sfidanti.al