Dortmundit “i fiken dritat” në Klasike, Bajerni marshon drejt titullit!

E gjithë Gjermania, por edhe gjithë bota, priste tjetër gjë. Ndoshta kishte ardhur dita që Bajerni të ndalej dhe që titulli i Bundesligës t’i shtonte sfidueses së re, Borusias së Dortmundit. Gjithsesi, dyshimet ishin të mëdha se pikërisht diferenca e madhe në përvojë do të bënte diferencën, siç edhe ndodhi në “Alianc Arena” të Mynihut. U desh të kalonin vetëm 17 minuta që të kuptohej se shpresat kishin qenë të kota.

Bajerni shënoi dy gola, duke vrarë ndeshjen, me dy ish-lojtarët e Dortmundit, Humels e Levandovski, ndihmuar edhe nga dorëzimi psikologjik i kundërshtarit përballë një presioni që nuk mund ta përballonte. Skuadra e trajnerit Lysien Favre shpërdoroi mundësinë për të kaluar e para në avantazh, dhe u ndëshkua pas kësaj, aq sa pjesa e parë u mbyll 4-0 për bavarezët. E gjithë ndeshja 5-0, dhe ndonëse diferenca në pikë është vetëm 1, përshtypja është se Borusia ka ngritur duart lart në garën për titull.

Kjo ishte ndeshja më e mirë e sezonit për formacionin e trajnerit Niko Kovaç, ndonëse edhe vetë kroati e di se Bajerni i tij nuk është kaq i mirë sa normalisht të mundë Dortmundin me 5 gola diferencë. Problemi kryesor në Gjermani nuk është se kundërshtari i bavarezëve është tepër i ri në moshë, por se nuk i mban dot lojtarët, pra nuk mundet që pas një apo dy sezonesh, të krijonë një ekip në gjendje për të sfiduar kampionët.

Sfidanti.al