Benzema është oksigjeni i Zidanit, tifozët e Realit presin verën për “ringjalljen”!

Sezon më pa motivim nuk mund të ketë. i tillë ky i tanishmi për Realin, që edhe me Zinedin Zidanin po paraqitet po aq i vakët sa me trajnerët e shkarkuar Lopetegi e Solari. Ia doli të fitonte, por vetëm pas një pjese të parë tepër të dobët, ku pësoi gol në minutën e 39-të nga një Eibar modest, dhe kur nuk gjuajti asnjëherë në portën kundërshtare. Duhej të vinte minuta e 47-të, që madrilenët të kujtoheshin se po humbisnin e se po luanin në “Santiago Bernabeu”, me Luka Modriçin që goditi më në fund kuadratin e portierit Dmitroviç.

U desh njeriu më i aftë për gola, që ka mbetur pas ikjes së Ronaldos, pra Karim Benzema. Sulmuesi francezi ishte i vetmi ndoshta në lartësinë që kërkon fanela e Realit, duke shënuar të dyja rrjetat e përmbysjes. Tashmë, 31-vjeçari ka 218 gola me fanelën madrilene.

Reali fitoi një tjetër ndeshje në një kampionat që po luhet thuajse vetëm për statistike, duke mos pasur asnjë objektiv. Kampion nuk del dot, por edhe zonën Champions vështirë se e rrezikon, plot 14 pikë mbi vendin e pestë. Tifozët e kanë të qartë se Zidan, nëse do të mundë të ndryshojë gjë, do ta bëjë edicionin e ardhshëm, pasi në verë të afrohen disa yje, e të largohen disa lojtarë që e kanë mbyllur ciklin në Madrid.

Sfidanti.al