Që Partizani të mundet tri herë nga Luftëtari, madje një herë në Elbasan, një herë në Gjirokastër, dhe një herë në Tiranë, mund të ndodhë vetëm nëpër filmat më shumë se fantastiko-shkencorë. Dikush mund të thotë se edhe Reali është mundur disa herë 0-3 nga CSKA-ja e Moskës, Eibari apo Sevilja, si dhe 1-4 në “Bernabeu” nga Ajaksi, por këta duhet të shohin një herë sesa shumë mbushen stadiumet në Spanjë, dhe sa në Shqipëri, për të kuptuar se cili futboll bie më shumë erë.
Luftëtari pra fitoi 3-1 në kryeqytet, në një ndeshje që për Partizanin nuk ishte as “ujë i ngrohtë”, as “ujë i ftohtë”. Për ujë të ftohtë u bënë vetëm tifozët që shpërthyen në rrjetet sociale me të gjithë komentet e mundshme. “E shitët për një thes me fasule”, ishte një koment”. “Turp, e shitët”, ishte një tjetër fare shkurt. “Filloi spektakli tani”, vazhdon një tjetër tifoz i Partizanit, “paska bërë lekë sot Partizani, bravo”, – vazhdon një me inicialet EK.
Humbja nuk i bëri asnjë të keqe Partizanit, pasi ndodhet i shkëputur nga Kukësi, që gjithashtu, si për koincidencë, u mund në fushën e Kastriotit, dhe gjeti fajtor Ramdan Ndreun që nuk u ngrit asnjë herë nga stoli.
Në gjithë këtë “histori serioze”, gjëja më fatkeqe ishte humbja e Tiranës në Vlorë, ndoshta në të vetmen ndeshje që pati emocione. Skuadra e trajnerit Ardian Mema, papritur nuk është më ajo e mëparshmja, duke humbur sërish penallti, ashtu si ndaj Laçit, e duke qenë tani vetëm 3 pikë mbi Kastriotin. Flamurtari, papritur e sheh veten në luftë për në Europë, edhe pse është “për ibret” me pagat.
Këtë verë (besohet) do të ketë zgjedhje vendore, dhe siç e dimë të gjithë, futbolli është gjithashtu “levë” e partive. Të vetmet skuadra që nuk japin vota majtas e djathtas janë Tirana e Partizani, dhe prandaj tiranasit me shumë gjasë rrezikojnë më shumë se të gjithë, që të bien nga kategoria.
Sfidanti.al