Dortmundi respektoi parashikimet, Halandi goditi përsëri!

Më në fund “Mesia” u kthye, futbolli zbriti në fushë, veçse duke i lënë jashtë tifozët. Bundesliga gjermane respektoi premtimin dhe u bë i pari kampionat i madh në Europë për të sfiduar koronavirusin e për të rifilluar ndeshjet, me javën e 26-të. Spektakli u duk u shurdhër, pa zë, ku dëgjohej vetëm goditja e topit dhe bërtitjet e trajnerëve, pasi mikrofonët pranë fushës ishin lënë në vend.

Borusia e Dortmundit, po ashtu, e respektoi parashikimin duke fituar 4-0 derbin ndaj Shalkes, ndonëse pati ndonjë media gjermane (si “Bildi”) që mendoi se mund të dilte barazim. Erling Halandi e nisi aty ku e la në mars, pra duke vazhduar me “zanatin” e tij të shënimit të golave. Ka 10 rrjeta në 9 ndeshje të Bundesligës, me mesataren ende të shkëlqyer prej një goli në çdo 60 minuta. Shënuesit e tjerë për Gerrero, Hazar dhe sërish Gerrero.

Pas kësaj fitoreje të madhe, Dortmundi ka 54 pikë, një më pak se Bajerni që do të luajë këtë të diel, ndërsa Lajpcigu zhgënjeu (“Bild” kishte parashikuar, madje, se do të humbiste), duke barazuar 1-1 me Frajburgun në stadiumin e tij, e duke u ngjitur vetëm në kuotën e 51 pikëve. Pasdite e mirë për Klaus Gjasulën, që doli barazim 0-0 me Paderbornin në fushën e Dyseldorfit, ndërsa mesfushori kuqezi nuk hoqi dorë nga zakoni i marrjes së kartonit të verdhë.

Sfidanti.al