Dortmundi kalon provën e “burrërisë”, po munde Bajernin, merr titullin

“Tre krisma në Dortmund” ishin ato që “shkrehu” Borusia e trajnerit Favre duke kaluar testin më të rëndësishëm të sezonit, atë që mund të quhet “prova e burrërisë”. Mundi Bajernin 3-2 në stadiumin “Signal Iduna Park” duke e treguar veten “flori safi” dhe të denjë për të pretenduar titullin kampion.

“Dëftesa e pjekurisë” u mor përballë kampiones në fuqi, që kishte në fushë Nojerin, Boatengun, Humelsin, Kimihun, Alavën, Havi Martinezin, Tomas Mylerin, Riberinë dhe Levandovskin. Shumë kampionë, por që nuk ia dolën me “buzëqumështit” e Dortmundit.

Natyrisht, nuk mund të cilësohet i tillë kapiteni Marko Rojs, që iu përgjigj me dy gola, dy rrjetave të shënuara nga Robert Levandovski, ish-djali i shtëpisë, i kthyer prej kohësh në “mace të zezë”. Gjithsesi, Borusia diti këtë herë të ishte ajo një “mace e zezë” për bavarezët.

Edhe pse Bajerni i trajnerit Niko Kovaç mbajti topin 57 për qind, dhe pati kornet 6-0, sërish forca e Dortmundit u duk në dy elementë. Së pari, në fitimin e 61 për qind të dueleve për top, dhe janë sukseset në dyluftime që të japin fitoren e ndeshjes. Së dyti, pati 467 pasime, jo shumë prapa 606 pasimeve të kampionëve.

Trimëria e trajnerit Lysien Favre ishte e madhe, pasi në fushë pati lojtarë të tillë si Akanji (23 vjeç), Zagadu (19), Hakimi (20), Vajgl (23), Sanço (18), Larsen (20), pra më shumë se gjysmën e formacionit fare të re në moshë.

Të “përzier” me lojtarë më të pjekur si portieri Hic, si Pishçek, Vicel, Rojs, Gëce apo Alkaser, ata i dhanë lojës së vendasve një shpejtësi dhe rrezikshmëri të jashtëzakonshme. Fati i ndeshjes u vendos në minutën e 73-të nga sulmuesi spanjoll, Pako Alkaser (në fushë në 59’), që shënoi golin e tretë.

Me këtë fitore, Dortmundi u ngjit në kuotën e 27 pikëve, duke qenë i shkëputur në krye. Bajerni zbriti në vendin e tretë me 20 pikë, ndërsa mbrojtja e titullit kampion u bë më e vështirë. Trajneri Niko Kovaç, po ashtu, rrezikon postin pas kësaj humbjeje.

Sfidanti.al