Nuk dihet nëse do të ketë mundësi gjatë verës të mbajë yjet si Haland apo Sanço, por gjithsesi fitorja e Kupës ishte një deklarim i qartë i Dortmundit se nuk dëshiron të mbetet “prapa liste” në futbollin gjerman. Triumfi i madh 4-1 në stadiumin “Olimpik” të Berlinit u arrit ndaj ekipit të dytë më të fortë të Gjermanisë, Lajpcigut, rivalit kryesor të Bajernit, dhe ishte si një lloj mesazhi për trajnerin Julian Nagelsman, se rivaliteti me Dortmundin do ta ndjekë edhe në Mynih.
Ky ishte trofeu i pestë i kupës gjermane fituar nga Borusia, ndërsa Nagelsman do të kalojë këtë verë në drejtim të bavarezëve, pas largimit të Hansi Flikut. Dy gola u shënuan nga Erling Halandi dhe dy nga Xhejdën Sanço, ndërsa vetëm Dani Olmo mundi të realizonte për Lajpcigun e themeluar në 2009. Kapiteni Marko Rojs mori pjesë në të katër golat dhe tha më pas se “ne arritëm një fitore të madhe, por duhet të kemi më shumë vazhdimësi”. “Ne duhet ta bëjmë këtë gjë edhe në vitet e ardhshme, – shtoi ai, – sepse ndodh që ne e tregojmë veten vetëm kur vihemi me shpatulla pas murit”. Dortmundi synon edhe kualifikimin në Champions nga Bundesliga, ku ndodhet në vendin e katërt ndërsa duhen edhe 2 javë deri në përufundim.
Sfidanti.al