Vështirë të ketë pasur ndonjë skuadër një sezon kaq të vështirë sa ky i Dortmundit. Skuadra e shquar dhe simpatike gjermane u eleminua me turp nga Championsi, me rezultat të përgjithshëm 3-6 me Monakon, u sulmua në mënyrë terroriste përpara takimeve në Ligën e Kampionëve, u luhat pa fund në Bundesligë duke rrezikuar kualifikimin vitin e ardhshëm për në kompeticionin-elitë të klubeve në kontinent, veçse ashtu si ndonjë “bukuri e fjetur”, u zgjua në një moment dhe bëri “namin”.
Do të jetë Dortmundi, dhe jo Bajerni, në finalen e Kupës së Gjermanisë që do të luhet në maj, në stadiumin “Olimpik” të kryeqytetit Berlin. Verdhezinjtë fituan një duel të jashtëzakonshëm në “Alianc Arena” të Mynihut, ku “infarkti” ishte pranë të paktën tri herë. Marko Rojs kaloi miqtë në epërsi në 19’, por Havi Martinez (28’) dhe Mats Humels (41’) përmbysën rezultatin përpara pushimit.
Pje-Emerik Obamejang e fitoi duelin personal me Robert Levandovskin duke shënuar në 69’, ndërsa polaku nuk ia doli. Vetëm 5 minuta më vonë, talenti i zbuluar këtë sezon Usman Dembele sigloi fitoren me golin e tretë të Borusias. Edhe pse gjyqtari dha 7 minuta shtesë, sërish të përzgjedhurit e Karlo Ançelotit nuk mundën as të barazonin. Ky është eleminimi i dytë radhazi për Bajernin, pas atij në Champions me Realin, dhe bavarezëve i mbetet vetëm Bundesliga.
Sfidanti.al