Dortmundi: Belingham vlen 150 milionë euro

Është padyshim njëri nga më të kërkuarit në botë. Xhud Belingham ka gjithçka që i duhet një ylli të futbollit, talentin dhe moshën e re, ndërsa transferimi i tij do të kushtojë të paktën 150 milionë euro. E përditshmja “Marka” raporton se kjo është shifra që kërkon Borusia e Dortmundit, klubi që zotëron kartonin e adoleshentit anglez. Kjo shifër, sipas “Markës”, ndahet në 111 apo 115 milionë euro që duhet të jepen menjëherë dhe pjesa tjetër me klauzola, në bazë të arritjeve personale dhe ekipore. Për lojtarin 19-vjeçar i Anglisë, Dortmundi, kërkon thuajse të njëjtën shifër që mori nga Barcelona për sulmuesin francez, Usman Dembele.

Reali i Madridit është njëri nga klubet kryesorë që interesohet për shërbimet e futbollistit, dhe besohet se është gati ta bëjë sakrificën financiare për të siguruar një nga yjet më të mëdhenj të së ardhmes. Në garë, edhe Mançester Siti e Liverpuli. Klubet angleze, sipas gazetës spanjolle, ofrojnë edhe më shumë para sesa Reali, dhe Pep Guardiola duket në avantazh ndaj Jurgen Klopit, edhe pse të kuqtë treguan të parët interes për Belinghamin. Gjithsesi, besohet se vetë adoleshenti pëlqen Madridin, pra mund ta shohim me fanelën e Realit sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al