E bëri tek Modena, tek Torino po ashtu, ndërsa tek Shqipëria kush nuk e di. Shpreson ta bëjë tek Alavesh, dhe fillimi është i mirë (gjysma e punës, apo jo?). Xhani De Biazi doli fitues nga ndeshja e parë si trajneri i Deportivos së Alaveshit, shkurt Alavesh, në Ligën Spanjolle, me shifrat 2-0 në fushën e Levantes. Munir El Hadadi (huazim nga Barcelona) dhe Alvaro Medran shënuan golat, nga një në çdo pjesë, në një përballje që ekipi i De Biazit mund ta kishte fituar edhe më thellë.
“Dora e De Biazit”, “efekti De Biazi”, “Alaveshi i De Biazit”, “Qyteti i De Biazit” ishin komentet e gazetave, duke lavdëruar punën e bërë në fare pak ditë, rreth një javë, nga italiani 61-vjeçar. Po ashtu, gazeta “Marka” nuk harroi të thoshte se De Biazi fitoi në qytetin ku erdhi 10 vjet më parë, dhe ndaj skuadrës që ishte e tija atëherë, Levantes, po ashtu ndaj tifozëve që gjithnjë e kanë dashur shunë. Nuk ishte Alavesh i shkëlqyer, por as nuk pritej. Ishte i fortë, këmbëngulës, kolektiv. Me këtë fitore, Alavesh u ngjit i parafundit, ndonëse lufta për mbijetesën vazhdon.
Sfidanti.al