Donçiç është Supernjeri: Kalon Xhordanin, por Çikago nuk e mundi dot vetëm!

Ndoshta do t’i duhet të rritet edhe ca, të fitojë më shumë përvojë sesa mund të ketë në moshën 21-vjeçare, si dhe të imponohet më shumë si kapiten ndaj shokëve të tij. Në një ndeshje të tillë të pabarabartë, Luka Donçiç bëri gjithçka që mund të bëjë njeriu në një fushë basketbolli, dhe mund t’ia kishte dalë vetëm në versionin “Majkëll Xhordan” apo “Lebron Xhejms”. Kuptohet, në versionin e tyre si burra të rritur që mund të ulen në krye të “tavolinës”.

Dallas Maveriks nuk shfrytëzoi dot nivelin e lartë të talentit slloven dhe u mund 101-117 në fushën e Çikago Bullsave. Donçiç luajti 37 minuta e gjysmë dhe shënoi 36 pikë, kapi 16 topa në tabela, shërbeu 15 asistë dhe vodhi 2 topa. Një tjetër tripëll dabëll për “Luka Magjikun” që kaloi Majkëll Xhordanin për tripëll dabëlla në karrierë me 29! Porzingis shënoi 20 pikë dhe kapi 8 topa në tabela, por gaboi shumë në gjuajtje: 0-7 për tri pikë! Për fat të keq, Dallasi nuk pati 5 lojtarë që ishin pozitivë me kovid.

Tek Çikago pati 6 lojtarë që shënuan me dy shifra, si finlandezi Markanen me 29 (10 topa në tabela), Tempëll 21, Jang 15, Porter 14, Karter 12 (7 topa në tabela) dhe Lavin 10 (10 asistë). Të dyja skuadrat ishin njësoj të forta poshtë tabelave, duke kapur nga 48 topa secila, por diferenca u bë tek loja kolektive, tek asistet. Bullsat patën 32 asiste, ndërsa Maveriksat vetëm 18, dhe nga këto 16 i pati vetëm Luka Donçiç (!!!). Nuk dihet nëse ka ekzistuar ndonjëherë më parë një fakt i tillë në një ndeshje në NBA!

Sfidanti.al