Konte: Si trajner nuk e kisha mundur kurrë Juventusin!

E kishin mbytur me kritika, me fushata në rrjetet sociale dhe presioni e kishte lodhur. Antonio Konte doli i rraskapitur në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Juventusit, por ishte të paktën i lumtur pas saj. Interi i tij fitoi 2-0, largoi një tabu dhe ai arriti fitoren e parë si trajner ndaj kampionëve. U deshën katër ndeshje që kjo gjë të ndodhte. “Jam krenar për lojtarët e mi, – tha ai, – na duhej një ndeshje perfekte për të fituar ndaj Juves dhe besoj se iu afruam. Kënaqësia më e madhe ishte që disa skema që mendonim se do të kishin rezultat, dolën të goditura. Jam i kënaqur për djemtë sepse pas fitoreve të tilla fiton besim tek vetja, dhe kupton se rruga ku po ecim është ajo e duhura”.

Konte gjithsesi thotë se diferenca e Juves me ekipet e tjera ekziston dhe do të vazhdojë të paktën edhe për disa kohë, por shton se “disa skuadra po përpiqen që ta ngushtojnë, këtë po bëjmë edhe ne”. Kur ngacmohet duke i thënë se “Interi tani është favorit për titullin”, trajneri zikaltër përgjigjet: “Imagjinonin sesi do të ishim nëse do të kishim marrë përforcimet që kishim në plan gjatë verës”. Konte pohon se e dinte gjendjen e klubit që në gusht, pra që pronarët mund të shisnin aksionet dhe uron që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt dhe sa më mirë.

Sfidanti.al