Një trajner nuk dëshiron të kritikojë lojtarët e tij në publik, as edhe kur ata humbasin, jo më kur dalin barazim në një ndeshje që mund të kishte pasur çfarëdo lloj rezultati. Kështu bënë edhe Jurgen Klop e Ole Gunar Solskjer ndërsa Liverpuli e Mançester Junajtidi barazuan 0-0 në “Anfild”. “Djemtë e mi patën një ndeshje të mirë sonte, – tha trajneri vendas pas sfidës së Premier Ligës, – nëse do të kishim fituar 1-0, do të kishte qenë krejt në rregull. Nuk mund të mendosh që të mos e lejosh Mançester Junajtidin që të krijojë raste. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, por nuk shënuam. Pas pushimit ndeshja ishte më e hapur dhe Alisoni bëri dy pritje të mira. Nuk e kam të lehtë të shpjegoj përse nuk po shënojmë, gjithnjë do të humbasim raste. Ky është futbolli, kështu ndodh”.
Po Solskjeri? Trajneri norvegjez pranoi se Mançester Junajtidi mund të kishte luajtur më mirë, edhe pse pas pushimit i pati rastet për të fituar. “Mendoj se u rritëm gjatë ndeshjes, – tha ai, – ndonëse mund të kishim luajtur më mirë, me më shumë pjekuri dhe qetësi. Duhej të mbroheshim mirë, kemi nja dy gjëra për të përmirësuar. Mendoj se Pogna ishte i shkëlqyer. Patëm mundësi të shënonim, por Alison u tregua i madh”.
Sfidanti.al