“Donaruma 2”, Kutrone e Gatuzo, Milani ia pason krizën Interit

Kupa ishte objektiv i të dyjave, por duket se më shumë ishte e atij që kishte më tepër nevojë. Ky nevojtar më i madh ishte Milani që edhe pati më shumë dëshirë dhe ia doli ta eleminonte “kushëririn” Inter. Fitore 1-0 pas 120 minutave dhe “fluturim” në gjysmëfinale.

Nuk ishte një ndeshje e bukur në “San Siro”, tepër nervoze dhe me shumë gabime, por edhe me shumë përpjekje për të bërë diçka të mirë. Ia doli Milani falë golit të Kutrones në kohën e parë shtesë (“ende nuk e besoj, deri dje ishte tek Shpresat”), por edhe falë pritjeve të “Donarumës 2”, vëllait të Xhixho Donarumës, që u tregoi tifozëve se nuk ishte marrë me mik, por me meritokraci. “Natë prej luani”, shkruajtën gazetat italiane për Antonion.

“Më thoni se jam trajneri më i keq në Serinë A, por ama dua gjithnjë që të fitoj”, – ulëriti Xhenaro Gatuzo përpara gazetarëve, në përfundim të ndeshjes. Natyrisht, “Rino” nuk mund të harrojë sesa shumë “dru” ka ngrënë këto kohë, por mbrëmja e fundit ishte e tija, dhe mund të fliste si të donte.

Po Interi? Fatkeqësi e vërtetë dhe krizë po e vërtetë. Pas dy humbjeve në kampionat ja edhe eleminimi nga Kupa, madje në në derbi. “Rënia është mendore, – u mjaftua të thotë trajneri Spaleti, – por, as të mos mendojmë të kërkojmë ndihmë nga të tjerët. Nga balta duhet të dalim vetë”. Fatkeqësi tjetër ishte që humbja erdhi me formacionin thuajse titullar, kur Nagatomo e Ranokia ishin zgjedhje të detyrueshme pas dëmtimeve të D’Ambrozios e Mirandës. Ndryshimi i vetëm i vullnetshëm, ai i Zhoao Marios në vend të Borha Valeros. Tani pritet kthesa në ndeshjen ndaj Lacios, ndryshe “lamtumirë” edhe shpresave për titull në Serinë A.

Sfidanti.al