Do të ikë Mesi nga Barça? Jo pa provuar edhe një Champions

Kontrata është ajo që është, përfundon në 2021, dhe klauzola po ashtu është sekret që e dinë të gjithë, pra që ai mund të ikë verën e ardhshme, me parametër zero. Flasim për Lionel Mesin, lojtarin më të madh të epokës sonë, një nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit, e ardhmja e të cilit ka zgjuar interesimin e gjithë Europës. Pra, çdo të bëjë superylli argjentinas, në verën e vitit të ardhshëm?

Do të largohet nga Barcelona? Nëse po, ku do të luajë? Apo do ta lerë futbollin për fare. Presidenti i katalanasve, Bartomeu thekson se kontrata e Mesit është diçka normale për klubin. “Andres (Iniesta) dhe Ksavi kishin klauzola të ngjashme, sepse ata e meritonin, siç e meriton Mesi, – theksoi ai, – por, asnjëri prej tyre nuk iku para kohe. Nuk besoj se Mesi do ta bëjë, ai është tifoz i Barcelonës”. Gjithsesi, ka një arsye tjetër që e pengon kapitenin të ikë nga “Kamp Nou”. Ai dëshiron të fitojë një tjetër Champions, pasi 4 që ka deri tani, i duken fare pak.

Sfidanti.al