Ditëlindja e Taulant Xhakës, tension dhe diplomaci nga presidenti Duka!

Qëlloi që ditëlindjen ta kishte pikërisht në këtë moment. Familja Xhaka është e lumtur që Taulanti mbushi 26 vjeç, veçse këto ditë është folur për gjithçka rreth mesfushorit, përveçse për gjëra pozitive. Largimi i tij demonstrativ nga ekipi përfaqësues pasi u la jashtë formacionit nga trajneri De Biazi për ndeshjen ndaj Italisë, krijoi një tension të madh.

Trajneri dhe futbollisti shkëmbyen batuta dhe akuza, ndërsa e ardhmja e Taulant Xhakës në kombëtare është në rrezik. Gjithsesi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vendosi të bënte diplomatin duke ia uruar publikisht ditëlindjen lojtarit të Bazelit. Gjithsesi, vetë Taulanti vlerësoi veçmas dy urime.

Së pari atë të vëllait të tij, Granitit që kishte postuar disa foto kur ata ishin fare të vegjël. Ai e quajti këtë si dhuratën më të bukur. Përgjigja tjetër ishte një falenderim për klubin e tij, Bazelin. Xhaka u kthye menjëherë në Bazel pasi u largua nga kombëtarja, dhe të paktën e ka të sigurt lumturinë në klubin zviceran, ku ndihet i vlerësuar nga ana sportive, duke qenë gjithnjë titullar.

Sfidanti.al