Është një Itali më e fortë se ajo në Europian, por është një Spanjë që është ringjallur që nga rrëzimi në Francë. Të dy kundërshtarët e grupit tonë eleminator fituan, madje me autoritet dhe në fusha të vështira. Anipse Holanda po vuan kohët e fundit, në Amsterdam nuk është e lehtë të luash, sidomos në përballje të tilla klasike, edhe pse miqësore. Nga ana tjetër, suksesi i iberikëve në Paris ishte i mrekullueshëm.
Italianët pësuan gol shpejt në “Amsterdam Arena”, veçse pas autogolit të minutës së 10-të nga Alesio Romanjoli, u përgjigj brenda minutës Eder, ndërsa po në pjesën e parë shënoi Leonardo Bonuçi. Nën drejtimin e trajnerit Ventura, të kaltrit po kthehen në nivele të larta, siç e kanë treguar edhe në ndeshjet eleminatore të Botërorit.
Spanja bëri edhe më shumë përshtypje, në një ndeshje ku vëmendjen kryesore e tërhoqi teknologjia. Me të drejtë, nga përdorimi i saj, u anulua goli i Antuan Grizmanit, ndërsa pasi spanjollët kaluan përpara me penalltinë e David Silvës, goli i Deulofeut më herët u quajt pozicion jashtë loje, por me ndihmën e teknologjisë që deklarua i vlefshëm. Të dy vendimet ishin të drejtë dhe Spanja fitoi 2-0, ku Deulofeu bëri përshtypje, pasi ishte ai që fitoi edhe penalltinë e golit të parë.
Në ndeshjet e tjera miqësore, Suedia tronditi Portugalinë duke përmbysur shifrat nga 0-2 në 3-2. Nuk bëri “fajde” goli i Kristiano Ronaldos në stadiumin e qytetit të tij të lindjes, i 71-ti për kombëtaren. Viktor Kleson shënoi dy herë për miqtë, ndërsa autogoli i Kanselos i dha fitoren skandinavëve. Islanda, ndërkaq, fitoi 1-0 në Irlandë, Austria barazoi me Finlandën 1-1, Rusia barazoi 3-3 me Belgjikën, ndërsa Maqedonia tregoi se do të jetë rival i rrezikshëm i Shqipërisë, pasi fitoi 3-0 miqësoren ndaj Bjellorusisë. E papritur humbja e thellë e Kroacisë, 0-3 në Estoni.
Sfidanti.al