Rasëll Uestbruk vazhdon “fluturimin” drejt rekordeve të Oskar Robertsonit!

Gjuajtja e fundit solli fitoren. i takoi natyrisht Rasëll Uestbrukut që ta bënte dhe Oklahoma u largua nga Dallasi me një sukses të rëndësishëm. Tashmë në vendin e gjashtë në Perëndim, ajo synon të jetë në pozicion sa më të mirë për plej ofin. Uestbruk bëri më shumë sesa thjesht shënoi koshin vendimtar në triumfin 92-91. Ai vlen shumë më tepër se kaq.

Basketbollisti me numrin 0 e vazhdoi pa ndalesë përmbushjen e misionit të tij, që e ka emrin “tripëll dabëll”. Pra, realizim me dy shifra në të tre elementët kryesorë të kësaj loje. Në Dallas, ai shënoi 37 pikë, kapi 13 topa në tabela dhe ia doli të mbërrinte në 10 asistë. Një tjetër “tripëll dabëll”, i 37-ti i edicionit, dhe i duhen edhe 4 ndeshje të tilla që të barazojë rekordin e Robertsonit.

Me 9 takime që i kanë mbetur, edhe mund ta thyejë legjendën e vjetër. Po ashtu, Uestbruk e përforcoi edhe më tej mesataren e tij sezonale “tripëll dabëll”. Rekordin tjetër të Robertsonit e ka thuajse në xhep dhe shpejt pritet që Rasëll të jetë krah për krah Oskarit, si të vetmit që ia kanë dalë në një edicion të rregullt të NBA-së.

Sfidanti.al