Dinamo e Kievit kërkon mrekullinë në Champions në emër të Ukrainës!

Kështu i përshëndesin nga fronti, me gjëmimet e artilerisë. Ushtria ukrainase vazhdon duelin me fuqitë ruse, ndërsa këtë javë priten dy ngjarje të rëndësishme të sportit për vendin e madh të Lindjes. Boksieri Oleksandër Usik bëhet gati të mbrojë titujt kampion të botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist të shtunën, në të njëjtën kohë që Dinamo e Kievit përgatitet për duelin e plej ofit në Champions ndaj Benfikës së Lisbonës. Sonte në mbrëmje në 21:00, kampionët e Ukrainës në futboll do të presin rivalin favorit nga Portugalia. Sfida luhet jo shumë larg Ukrainës, por gjithsesi në fushë asnjanëse, në stadiumin “Miejski” në qytetin polak të Lodzit. Dinamo ka detyrim të përfaqësojë denjësisht vendin dhe t’i japë një kënaqësi njerëzve që po vuajnë një luftë të tmerrshme. Deri tani e kanë bërë shumë mirë duke eliminuar radhazi Fenerbahçen e Stambollit dhe Shturmin e Gracit të Austrisë, në dy raundet e kaluara. Kjo, edhe pse nuk kanë qenë favoritë, madje nuk kishin luajtur asnjë ndeshje zyrtare këtë vit derisa nisi Championsi.

“Në këto ndeshje ne mendojmë për kombin tonë, – thotë kapiteni Oleksandr Andrijevski, – për të afërmit tanë në Ukrainë, për njerëzit që na mbrojnë dhe që po luftojnë. Ajo është gjëja më e rëndësishme. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, dhe kjo gjë na jep forcë”. Trajneri Mirçea Luçesku, një njeri me përvojë tepër të madhe, bën një krahasim me Benfikën. “Natyrisht është e vështirë të luash në kushte tona, – u shpreh tekniku rumun, – Benfika është në kushte shumë më të mira se ne, në infrastrukturë, në nivel futbolli, dhe shumë më e qetë nga ana psikologjike. Ne nuk luajmë në fushën tonë, dhe lojtarët jetojnë me familjet e tyre në hotele. Kemi ecur mirë deri tani, dhe do të përpiqemi të arrijmë fazën e grupeve”. Dinamo e Kievit nuk jepet se ka shanse ndaj “shqiponjave” të Lisbonës, por gjithsesi motivimi krejt i veçantë mund të bëjë që mrekullia të ndodhë. Jo më kot, brezi i sotëm mban veshur një fanelë të madhe, të një ekipi që fitoi dy herë Kupën e Kupave dhe Superkupën e Europës në kohën e gjeneratës së artë të Oleg Blohinit, të udhëhequr nga trajneri legjendar, Valeri Lobanovski.

Sfidanti.al