Ishte apo jo gol i Manajt? Uatfordi nuk ka asnjë dyshim!

E provoi në një ndeshje të mëparshme, por nuk pati fat. Rej Manaj padyshim që pati nevojë për kohë që të përshtatet në futbollin anglez, pasi provoi atë italian dhe spanjoll, dhe ja e la shenjën e tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi golin e tij të parë me fanelën e Uatfordit, pikërisht në ndeshjen e tij të tretë për ekipin e tij të ri, duke siguruar edhe një pikë të rëndësishme. Ishte prekja e tij që rezultoi vendimtare për barazimin 1-1 në fushën e Birmingemit, në sfidën e kampionatit të quajtur Championship, apo ndryshe kategoria e dytë në Angli. Pati dyshime nëse rrjeta ishte e Manajt, madje pati adresa sportive që theksuan se autor ishte lojtari tjetër, Ken Sema.

Gjithsesi, vetë faqja zyrtare e Uatfordit në Tuiter botoi pamjet e golit me përsëritje, duke theksuar se njeriu që e dërgoi topin në rrjetë ishte vetë sulmuesi shqiptar. Po ashtu, Uafordi ribotoi postimin e Manajt, që shprehte emocionet e tij pasi realizoi për herë të parë me fanelën e re. Për momentin, Uatfordi është në vendin e tretë në renditje, dhe po ndjek atë ambicie që vetë shqiptari e shprehu përpara nisjes së sezonit, pas firmosjes së kontratës, pra që vendi i ekipit të jetë edicionin e ardhshëm në Premier Ligën angleze.

Sfidanti.al